Temperaturat e larta rrisin numrin e thirrjeve në Ndihmën e Shpejtë, mbi 200 raste në ditë

Temperaturat e larta kanë sjellë rritje të ndjeshme të numrit të thirrjeve drejt Ndihmës Mjekësore të Shpejtë (NMSh), ku çdo ditë regjistrohen mbi 200 thirrje, kryesisht për qytetarë që kolapsojnë në hapësira publike ose për persona me përkeqësim të gjendjes shëndetësore në shtëpi.

Daniel Georgievski nga Ndihma Mjekësore e Shpejtë tha për MIA se numri i intervenimeve të lidhura me vapën është rritur krahasuar me periudhat e tjera të vitit. Sipas tij, mesatarisht regjistrohen tre deri në pesë raste kolapsi në ditë, ndërsa në disa ditë ky numër është edhe më i lartë.

Ai bëri të ditur se qytetarët më së shpeshti kërkojnë ndihmë për simptoma si marramendje, të vjella, mbinxehje të trupit dhe goditje nga të nxehtit.

Georgievski paralajmëroi se temperaturat e larta paraqesin rrezik të veçantë për personat me sëmundje kronike, pasi mund të shkaktojnë përkeqësim të gjendjes kardiovaskulare, goditje në zemër ose tru, si dhe luhatje të tensionit të gjakut.

Nga Ndihma Mjekësore e Shpejtë u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell nga ora 11:00 deri në 17:00, të konsumojnë sa më shumë ujë, të shmangin alkoolin, të veshin rroba të lehta dhe të mbrojnë kokën gjatë qëndrimit jashtë. Gjithashtu, këshillohet konsumimi i ushqimit të lehtë dhe respektimi i rregullt i terapisë nga personat me sëmundje kronike.