Si t’i dalloni simptomat e virusit të Nilit Perëndimor dhe si të mbroheni?

Në disa komuna të Shkupit është shpallur epidemi e Etheve të Nil-it Perëndimor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 18 gusht janë regjistruar 38 raste, prej të cilave 37 në rajonin e Shkupit.

Sipas të dhënave shëndetësore, shumica e personave të infektuar nuk zhvillojnë simptoma ose kanë një formë të lehtë të sëmundjes. Virusi transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe nuk përhapet drejtpërdrejt nga një person te tjetri.

Simptomat më të zakonshme janë temperatura, dhimbja e kokës, lodhja, dhimbjet e trupit, të përzierat dhe të vjellat. Në raste të rralla mund të shfaqen simptoma më të rënda, si temperaturë e lartë, ngurtësi e qafës, çorientim, dobësi e muskujve, paralizë apo humbje e vetëdijes.

Rreziku për zhvillimin e formave të rënda është më i madh te personat mbi 65 vjeç, te personat me sëmundje kronike dhe te ata me imunitet të dobësuar.

Për mbrojtje rekomandohet përdorimi i mjeteve kundër mushkonjave, veshja e rrobave që mbulojnë trupin, vendosja e rrjetave në dritare dhe dyer, si dhe largimi i ujit të ndenjur nga oborret dhe tarracat.

Nëse shfaqen simptoma të rënda, rekomandohet kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore.