Gjatë natës së kaluar, nga 16 deri më 17 gusht, MPB ka zhvilluar një aksion kontrolli në të gjithë territorin e vendit për sanksionimin e shoferëve që drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit.
Gjatë kontrolleve, të zhvilluara nga ora 23:00 deri në 05:00, janë sanksionuar gjithsej 63 shoferë.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Manastir me 12 shoferë, ndërsa nga 9 raste janë evidentuar në territoret e Velesit dhe Ohrit. Në Kumanovë janë konstatuar 8 shoferë që kanë drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit.
Nga numri i përgjithshëm, 8 shoferë janë privuar nga liria, në përputhje me nenin 297 të Kodit Penal.
Gjatë aksionit janë konstatuar dhe sanksionuar edhe 162 shkelje të tjera të rregullave të komunikacionit.
MPB njofton se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve.
Policia apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore.
