Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka dorëzuar në gjykatën kompetente propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një 41-vjeçareje nga Kratova, e cila dyshohet për veprat penale pengim i zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare dhe uzurpim.
Sipas Prokurorisë, e dyshuara për një periudhë të gjatë kohore ka uzurpuar lokalitetin “Kuklicë”, i shpallur monument natyror, duke u kërkuar vizitorëve pagesë hyrjeje pa bazë ligjore, si dhe duke debatuar dhe kërcënuar vizitorët, çka sipas autoriteteve ka cenuar rendin dhe qetësinë publike.
Në incidentin e fundit, ajo dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe ka penguar zyrtarët policorë, të cilët po tentonin ta identifikonin dhe ta ndalonin.
Prokuroria thekson se ndaj saj tashmë po zhvillohet një procedurë tjetër për uzurpimin e të njëjtit lokalitet, ndërsa ajo nuk i ka respektuar masat e mëparshme, përfshirë ndalimin për t’iu afruar zonës.
Sipas njoftimit, edhe bashkëshorti i saj kishte qenë më herët i përfshirë në raste të pengimit të zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa Prokuroria vlerëson se ekzistojnë bazat ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës.
