Një apel emocional në emisionin “Radar” në Radio Dukagjini ka bërë të mundur ribashkimin e dy familjeve shqiptare pas plot 26 vitesh.
Vera, një shqiptare që jeton në Gjermani, kërkoi ndihmë për të gjetur një familje nga Mitrovica me të cilën kishte humbur kontaktet që kur ata ishin kthyer në Kosovë.
Ajo kujtoi me mall Mustafën, Mevluden dhe fëmijët e tyre – Marjetën, Arjetën, Njomzën dhe Kenanin – duke rrëfyer se kishin kaluar vite të bukura së bashku në Gjermani.
Vetëm 24 orë pas apelit, moderatorja Edita Doli arriti të gjente Kenanin, i cili sot jeton në Zvicër me familjen e tij.
Gjatë lidhjes telefonike, Vera dhe Kenani u emocionuan teksa rikujtuan kujtimet e përbashkëta, ndërsa Vera u shpreh se nuk kishte harruar kurrë mirësinë e familjes së tij.
“Bukën që na e ka dhënë nëna jote nuk e harroj kurrë. Ka qenë një familje e mrekullueshme. Tani do të kontaktojmë sërish”, tha ajo, duke falënderuar edhe moderatoren për ribashkimin e tyre pas më shumë se dy dekadash.
