Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Princ Valentino Corleones, i njohur si Vali Corleone, në rastin që lidhet me narkotikët.
Gjykata e ka ricilësuar veprën në posedim të paautorizuar të narkotikëve, duke e dënuar me një vit burgim me kusht. Dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse, gjatë periudhës verifikuese prej dy vitesh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, ai nuk kryen vepër tjetër penale.
Po ashtu, Corleone është dënuar me 4 mijë euro gjobë, e cila duhet të paguhet brenda 90 ditësh pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Në seancën fillestare në prill 2025, Corleone ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij.
