Çmimi i vezëve ka shënuar rritje në të gjithë Evropën në prag të Pashkëve, ndërsa Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet më të prekura nga kjo valë shtrenjtimi. Të dhënat e publikuara nga Eurostat dhe të cituara nga Euronews tregojnë se rritja më e madhe vjetore është regjistruar në Spanjë me 31.3%, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 26.3%, ndërsa në vendin e tretë renditet Portugalia me 20.9%.
Kjo situatë e vendos Maqedoninë e Veriut në mesin e vendeve ku rritja e çmimeve është më e ndjeshme pikërisht në periudhën kur kërkesa për vezë rritet ndjeshëm. Përtej aspektit sezonal, kjo rritje reflekton presionin e përgjithshëm ekonomik që po ndikon drejtpërdrejt në shportën e konsumatorit.
Në nivel më të gjerë, në Bashkimi Evropian inflacioni i përgjithshëm në fund të vitit 2025 ishte rreth 2.3%, ndërsa çmimet e vezëve u rritën me 9.3%, duke treguar një rritje shumë më të shpejtë krahasuar me produktet e tjera.
Edhe në tregun me shumicë situata paraqitet e tensionuar. Sipas Komosionit Evropian, në shkurt 2026 çmimet e vezëve në BE ishin rreth 18.4% më të larta se një vit më parë. Në disa vende si Franca,Holanda dhe Republika Çeke, rritja kaloi mbi 20%.
Ekspertët theksojnë se kjo rritje vjen si rezultat i disa faktorëve: kërkesa e lartë, orientimi i konsumatorëve drejt burimeve më të lira të proteinave, si dhe ndikimi i gripit të shpendëve, i cili ka dëmtuar furnizimin dhe ka rritur kostot e prodhimit.
Megjithatë, pavarësisht kësaj rritjeje, çmimet absolute të vezëve në Maqedoninë e Veriut dhe në disa vende të Ballkanit mbeten ende ndër më të ulëtat në Evropë. Problemi kryesor nuk është vetëm çmimi aktual, por ritmi i shpejtë i rritjes krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo e bën situatën më shqetësuese, pasi tregon se produktet bazë po bëhen gjithnjë e më të ndjeshme ndaj zhvillimeve në tregjet evropiane dhe globale – dhe këtë herë, Maqedonia e Veriut është ndër vendet më të ekspozuara ndaj këtij presioni.
