Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Irani nuk do të arrijë të pajiset me armë bërthamore, pavarësisht nëse arrihet apo jo një marrëveshje ndërkombëtare lidhur me programin e tij bërthamor.
Duke folur për mediat, Netanyahu theksoi se ndalimi i Iranit për të zhvilluar armë bërthamore mbetet një nga objektivat kryesore të politikës së tij.
“Me ose pa marrëveshje, Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Për sa kohë që unë do të jem kryeministër i Izraelit, kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh ai.
Netanyahu tha se operacionet e mëparshme izraelite kanë shkaktuar dëme të mëdha ndaj kapaciteteve ushtarake dhe bërthamore të Iranit. Sipas tij, janë goditur objekte të rëndësishme, janë eliminuar figura kyçe të programit bërthamor dhe është dëmtuar ndjeshëm infrastruktura për prodhimin e raketave.
Ai pretendoi se dëmet ekonomike të shkaktuara Iranit arrijnë në qindra miliarda dollarë, duke shtuar se ndikimi i tyre është i konsiderueshëm për të ardhmen e programit ushtarak iranian.
Sa i përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Netanyahu tha se bashkëpunimi me presidentin Donald Trump vazhdon, edhe pse jo gjithmonë palët ndajnë të njëjtin qëndrim për çdo çështje.
“Detyra ime është të mbroj interesat e sigurisë së Izraelit dhe këtë do të vazhdoj ta bëj”, deklaroi ai.
Kryeministri izraelit njoftoi gjithashtu rritje të buxhetit të mbrojtjes, duke theksuar se Izraeli do të investojë në teknologji të reja ushtarake dhe në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të sigurisë së vendit.
