Parlamenti i Irakut ka zgjedhur Nizar Amedin si presidentin e ri të vendit, duke i dhënë fund një bllokade politike që kishte penguar formimin e institucioneve për muaj të tërë.
Amedi, i propozuar nga Unioni Patriotik i Kurdistanit, siguroi 227 vota në raundin e dytë të votimit, duke fituar bindshëm ndaj kandidatit të pavarur Muthanna Amin Nader, i cili mori vetëm 15 vota.
Ai bëhet presidenti i gjashtë i Irakut që nga rrëzimi i regjimit të Saddam Hussein gjatë pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2003.
Pas zgjedhjes, Amedi pranoi sfidat që e presin:
“Jam plotësisht i vetëdijshëm për përmasat e sfidave me të cilat përballet vendi ynë”, tha ai, duke premtuar bashkëpunim institucional dhe duke theksuar parimin “Iraku i pari”.
Ai dënoi gjithashtu sulmet që kanë prekur vendin gjatë përplasjeve të fundit mes ShBA,Izraeli dhe Irani, një konflikt që ka ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin e Irakut.
Zgjedhja e tij vjen në një moment të ndjeshëm, pasi vendi po përballet ende me pasojat e tensioneve të fundit ushtarake dhe sulmeve ndaj bazave dhe objekteve diplomatike. Përplasjet kanë përfshirë edhe grupe të armatosura të lidhura me Iranin, si dhe kundërpërgjigje nga SHBA dhe Izraeli.
Tani vëmendja zhvendoset te përzgjedhja e kryeministrit, një proces vendimtar për stabilitetin politik. Sipas sistemit aktual të ndarjes së pushtetit, kryeministri duhet të jetë mysliman shiit, kryetari i parlamentit sunit, ndërsa presidenti zakonisht është kurd.
Koalicioni i njohur si Koraniza e Koordinimit,që ka shumicën parlamentare, ka paralajmëruar nominimin e ish-kryeministrit Nouri al-Maliki për këtë post. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA mund të rishqyrtojë mbështetjen ndaj Irakut nëse ai rikthehet në pushtet.
Sipas kushtetutës, Amedi ka 15 ditë kohë për t’i dhënë mandatin kandidatit të shumicës parlamentare për formimin e qeverisë, e cila duhet të krijohet brenda 30 ditëve.
58-vjeçari ka një përvojë të gjatë në politikë, duke shërbyer më parë si këshilltar i lartë dhe ministër i Mjedisit në periudhën 2022–2024. Iraku kishte mbetur pa një qeveri të re për rreth 150 ditë që nga zgjedhjet e fundit.
