Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka finalizuar një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal, i dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.
Sipas të dhënave të bëra publike, janë bllokuar 491 pasuri dhe 209 llogari bankare, në një nga operacionet më të mëdha të viteve të fundit kundër krimit të organizuar.
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në Euronews Albania, deklaroi se bëhet fjalë për një grup me aktivitet të gjerë ndërkombëtar, me investime në disa vende të botës dhe në disa kontinente.
Sipas tij, në qendër të hetimit ndodhet Dritan Gjika, i cili fillimisht kishte krijuar një kompani për importin e frutave ekzotike, por më pas aktiviteti i tij dyshohet se ka kaluar në një nivel shumë më të lartë, të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
“Janë narkotrafikantë të një niveli jashtëzakonisht të lartë. Shqipëria është shumë e vogël për të përballuar investimet e tyre. Ata kanë investime në disa vende të botës dhe pjesa e Shqipërisë është vetëm maja e ajsbergut”, u shpreh Hoxha.
Ai theksoi se ky hetim është ndër më të mëdhenjtë për nga volumi i trafikut të narkotikëve dhe se grupi nuk funksiononte si një strukturë e vetme, por si një aleancë mes disa rrjeteve kriminale.
Hetimi është zhvilluar nga prokurorët e SPAK-ut, Klodian Braho dhe Doloreza Musabelliu, ndërsa pritet që procesi gjyqësor të përcaktojë origjinën e pasurive të sekuestruara dhe përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.
