Gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit janë regjistruar disa raste të ndryshme, për të cilat policia ka ndërmarrë veprime konkrete.
Rreth orës 01:10 në SPB Tetovë, një grua 48-vjeçare nga fshati Cerovë ka raportuar se më 9 prill, rreth orës 23:30 në rrugën “Ilindenska” në Tetovë, djali i saj i mitur së bashku me një shok janë sulmuar nga tre persona. Gjatë përpjekjes për vetëmbrojtje, shoku i tij ka pësuar lëndim në dorë. Rasti është në procedurë hetimore.
Në orën 09:45 në rrugën “Jane Sandanski” në Tetovë, policia ka ndaluar një 38-vjeçar nga Çellopeku, i cili drejtonte një veturë “BMW” pa patentë shoferi. Automjeti është konfiskuar dhe ndaj tij do të ngritet kallëzim penal.
Një tjetër rast është raportuar në ora 13:30 në Stacionin Policor të Grupçinit, ku një 58-vjeçar nga Zhelina ka njoftuar për një përleshje fizike pas një debati. Të përfshirët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Klinik të Tetovës dhe më pas janë ndaluar nga policia.
Në ora 14:00 në rrugën “Gjorçe Petrov” në Tetovë, është ndaluar një i mitur 16-vjeçar që drejtonte motoçikletë pa leje. Pas procedurës, mjeti është sekuestruar dhe do të vijojë procedura ligjore.
Në Gostivar, rreth orës 18:00, një 48-vjeçar ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një koleg në një kompani taksish. I dyshuari është arrestuar më vonë dhe është ndaluar në stacion policor.
Po ashtu, në ora 20:30 në rrugën Tetovë–Jazhincë, policia ka ndaluar një veturë “Audi” të drejtuar nga një 15-vjeçar nga Pallatica. Gjatë kontrollit janë gjetur substanca narkotike dhe një mjet metalik, ndërsa i mituri dhe tre persona të tjerë janë shoqëruar në polici.
Në një aksion tjetër në Gostivar, policia ka arrestuar një 38-vjeçar, tek i cili gjatë kontrollit në shtëpi dhe në një lokal janë gjetur lëndë narkotike. Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit është ndaluar edhe një 57-vjeçar nga Forina, te i cili janë gjetur substanca të dyshuara.
Në mbrëmje, rreth orës 22:00 në rrugën “Jasht Vardarit” në Tetovë, është arrestuar një 38-vjeçar nga fshati Rogle, i dyshuar se ka goditur qëllimisht me veturë një të mitur.
Po në të njëjtën kohë, në rrugën drejt fshatit Kamjan, policia ka ndaluar një 19-vjeçar pa patentë shoferi. Në automjet është gjetur një qen i lënduar i racës “Pit Bull”, për të cilin dyshohet se është përdorur në përleshje ilegale. Shoferi dhe dy të mitur të tjerë janë ndaluar, ndërsa rasti është në procedurë dhe është njoftuar edhe inspektori veterinar.
Policia njofton se për të gjitha rastet po vijon dokumentimi dhe do të ndërmerren masa përkatëse ligjore.
