Drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Faton Fazliu, ka njoftuar për hapjen e Njësisë Amë në fshatin Batincë, në Komunën e Studeniçanit.
Sipas Fazliut, njësia e re do t’u mundësojë banorëve të kësaj zone të marrin shërbime të evidencës amë më afër vendbanimit të tyre, pa pasur nevojë të udhëtojnë në vende më të largëta.
Në këtë njësi qytetarët do të mund të pajisen me dokumente dhe shërbime të ndryshme administrative, përfshirë certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes, si dhe shërbime të tjera që lidhen me evidencën amë.
“Hapëm Njësinë Amë të Drejtorisë së Librave Amë në fshatin Batincë. Kjo njësi do t’u ofrojë banorëve shërbime të drejtpërdrejta dhe më të afërta”, ka shkruar Fazliu.
Ai ka theksuar se hapja e kësaj njësie synon t’ua lehtësojë qytetarëve marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve administrative.
“Një tjetër premtim i realizuar, një tjetër shërbim më afër banorëve të kësaj zone”, ka deklaruar Fazliu.
