Votuesit në Zvicër kanë hedhur poshtë një propozim që synonte të kufizonte numrin e banorëve të vendit në 10 milionë, sipas rezultateve paraprake të referendumit kombëtar.
Sipas projeksioneve të para, rreth 55% e qytetarëve kanë votuar kundër nismës, ndërsa 45% e kanë mbështetur atë. Propozimi ishte iniciuar nga Partia Popullore Zvicerane, forca kryesore e djathtë në vend e njohur për qëndrimet e saj kundër emigracionit.
Çështja e referendumi kishte rëndësi të veçantë, pasi miratimi i tij do të mund të rrezikonte marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian.
Zvicra ka përjetuar rritje të ndjeshme të popullsisë gjatë dy dekadave të fundit, nga 7.3 milionë banorë në vitin 2002 në rreth 9.1 milionë sot, ku rreth 27% e banorëve janë me origjinë të huaj.
Mbështetësit e kufizimit argumentonin se masa do të lehtësonte presionin mbi tregun e banesave, transportin dhe mjedisin, por këto argumente nuk arritën të bindin shumicën e votuesve.
Nga ana tjetër, kundërshtarët paralajmëruan pasoja në tregun e punës dhe sektorët kyç si turizmi, shëndetësia dhe shërbimet sociale, duke theksuar edhe rrezikun për marrëdhëniet ekonomike me BE-në, treg ku Zvicra eksporton më shumë se gjysmën e produkteve të saj.
Debati në vend u përqendrua kryesisht te emigracioni, me përplasje mes atyre që kërkojnë kufizime dhe atyre që e shohin emigracionin si pjesë të domosdoshme të ekonomisë zvicerane.
- Zvicra mbetet një nga vendet më të njohura për demokracinë e saj direkte, ku qytetarët vendosin përmes referendumeve për çështje të rëndësishme kombëtare.
