Alarm në Onkologji në Shkup: Pacientet me kancer gjiri mbeten pa terapinë “Phesgo”

Pacientet me kancer gjiri, të cilat kishin të planifikuar terapinë “Phesgo” në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, kanë mbetur pa ilaçin për shkak të problemeve me furnizimin.

Ende nuk dihet se kur do të sigurohet medikamenti dhe kur do të rifillojnë trajtimet. Klinika u ka kërkuar falje pacienteve të prekura, duke pranuar se vonesa ka shkaktuar shqetësim, por pa dhënë një datë konkrete për furnizimin.

Sipas Klinikës, problemi lidhet me shpërndarjen dhe dorëzimin e ilaçit, ndërsa autoritetet shëndetësore ende nuk kanë sqaruar se kush mban përgjegjësi për vonesën.

Më 8 tetor, drejtori i Klinikës, Igor Stojkovski, kishte paralajmëruar mundësinë e vonesave në furnizimin me terapi. Ndërkohë, po shqyrtohet edhe mundësia e prokurimit të disa terapive për një periudhë trevjeçare.

“Phesgo” përdoret për trajtimin e disa formave të kancerit të gjirit HER2-pozitiv dhe përmban substancat aktive pertuzumab dhe trastuzumab.