Përdorimi i duhanit në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga sfidat më serioze për shëndetin publik, me rreth 45% të qytetarëve që konsumojnë produkte të duhanit. Kjo do të thotë se pothuajse çdo i dyti banor është duhanpirës, një përqindje dukshëm më e lartë se mesatarja evropiane.
Pulmologu Bojan Stoshevski paralajmëron se duhani shkakton pasoja të rënda në organizëm, duke dëmtuar mushkëritë, zemrën dhe enët e gjakut. Sipas tij, konsumimi afatgjatë çon në uljen e funksionit të mushkërive, ndërsa shumë pacientë në moshë të shtyrë përfundojnë të varur nga terapia me oksigjen.
Edhe më shqetësues konsiderohet trendi i rritjes së duhanpirjes tek të rinjtë. Stoshevski thekson se familja luan rol kyç në formimin e qëndrimeve ndaj duhanit, pasi fëmijët e prindërve duhanpirës shpesh e perceptojnë pirjen e duhanit si diçka normale.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, 7.7% e fëmijëve të moshës 13 deri në 15 vjeç janë duhanpirës aktivë. Ndërkohë, një studim tjetër tregon se 4.1% e fëmijëve 11-vjeçarë ose më të vegjël kanë provuar cigaren të paktën një herë.
Ekspertët bëjnë thirrje për më shumë edukim, ndërgjegjësim dhe masa parandaluese për të ulur përdorimin e duhanit, veçanërisht te gjeneratat e reja.
