VMRO-DPMNE ka akuzuar kreun e LSDM-së, Venko Filipçe, për mungesë reagimi ndaj asaj që e cilëson si një skandal diplomatik nga ana e Bullgarisë, pas publikimit të një note diplomatike që, sipas partisë në pushtet, përmbante informacione të ndjeshme lidhur me sigurinë e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe familjes së tij.
Nga VMRO-DPMNE pretendojnë se dokumenti i publikuar përmbante të dhëna që lidhen me lëvizjen e delegacionit, automjetet zyrtare, emrat e personave që udhëtonin, si dhe detaje të tjera të karakterit sigurues.
Sipas tyre, mungesa e një reagimi publik nga Filipçe dhe LSDM ngre dilema për qëndrimin e opozitës ndaj këtij rasti, ndërsa kërkojnë një dënim të qartë për publikimin e materialeve të tilla.
Partia në pushtet thekson se, pavarësisht tensioneve dhe sfidave në raportet me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Venko Filipçe lidhur me këto akuza.
