Ishte një situatë e pakëndshme”, Raimonda Bulku thyen heshtjen

Aktorja e njohur Raimonda Bulku ka reaguar lidhur me momentin e debatueshëm që ndodhi gjatë finales së “Ferma VIP”, kur Mimoza Ahmeti kundërshtoi publikisht poezitë që po lexoheshin në emër të saj.

E ftuar në emisionin “N’qytet me Maksin”, Bulku u shpreh se situata ishte e pakëndshme dhe vendosi në siklet të gjithë artistët që morën pjesë në surprizën e përgatitur për fituesen e spektaklit.

“U shqetësova shumë, ashtu si edhe kolegët e mi. Ishte një situatë e pakëndshme që nuk kishte të bënte me ne. Ne shkuam me respekt dhe për të bërë punën tonë”, deklaroi aktorja.

Ajo sqaroi se në aktivitete të tilla artistët zakonisht punojnë me materialet që u vihen në dispozicion nga organizatorët apo produksioni, pa pasur arsye të dyshojnë në origjinalitetin e tyre.

Bulku shtoi se njeh mirë krijimtarinë e Mimoza Ahmetit dhe se, po të kishte pasur mundësinë, do të kishte zgjedhur vetë një poezi nga librat e autores.

Sipas saj, askush nuk do ta imagjinonte që në një produksion të atij niveli mund të kishte paqartësi lidhur me materialet e përdorura gjatë një momenti kaq të rëndësishëm të finales.