Analisti dhe aktivisti Armend Nuhiu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me debatet e fundit për emrat e rrugëve në zonat me shumicë shqiptare.
Në reagimin e tij, Nuhiu kritikon atë që e quan mungesë reagimi ndaj çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve në vend.
“Shqiptari i Tetovës, i Gazi Babës, i Çairit, i Butelit, i Gostivarit, mund të të hidhet në fyt për Palestinën, por kur i ndërrojnë emrin shqip të rrugës para shtëpisë, e kthen kokën në anën tjetër”, ka shkruar ai.
Sipas Nuhiut, kjo situatë është e njohur edhe për strukturat politike maqedonase në pushtet, të cilat, sipas tij, po përpiqen të zhbëjnë arritjet e shqiptarëve pas vitit 2001.
“Natyrisht, struktura aktuale maqedonase në pushtet e di këtë gjendje, prandaj edhe i janë futur punës për t’i shkatërruar të gjitha rezultatet që arritën shqiptarët pas luftës së vitit 2001. Nuk shoh se do të hasin në shumë vështirësi”, ka theksuar Nuhiu.
