Koalicioni VLEN ka reaguar me akuza të ashpra ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke deklaruar se për 24 vite në pushtet nuk arriti të zgjidhë as problemin e kanalizimit në vendlindjen e tij, Zajaz.
Sipas VLEN-it, dokumentet dhe informacionet që po dalin në dritë ngrenë dyshime për mënyrën se si janë menaxhuar fondet evropiane dhe projektet infrastrukturore.
“Njerëzit prisnin kanalizim, ndërsa dikush tjetër priste pagesat. Sa më shumë zgjidhet lëmshi, aq më shumë lindin pyetje: kush përfitoi, kush i futi kompanitë në projekt dhe kush i mbylli sytë?”, thuhet në reagim.
VLEN kërkon që hetimi të shkojë deri në fund dhe të shqyrtohet çdo kontratë, pagesë dhe lidhje e mundshme politike, biznesore apo familjare.
Sipas tyre, qytetarët meritojnë të dinë se ku kanë përfunduar milionat e investuara dhe pse Zajazi, edhe pas 24 vitesh, ka mbetur pa një zgjidhje të plotë për kanalizimin.
Në fund të reagimit, VLEN thekson se BDI “la pas borxhe dhe dyshime”, ndërsa kërkon zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësi nga të gjithë të përfshirët.
