Erdogan: Anëtarësimi në BE nuk është më prioriteti kryesor i Turqisë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian nuk është më ndër prioritetet kryesore të Ankarasë, megjithëse vendi nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit në të ardhmen.
Në një intervistë për “Al Jazeera”, Erdogan kritikoi qëndrimin e Brukselit ndaj Turqisë, duke theksuar se vendi ka pritur prej 53 vitesh për integrimin në BE.
“Evropa nuk e ka integruar Turqinë për 53 vjet dhe nuk planifikon ta bëjë këtë që tani e tutje. Ne nuk e mbyllëm derën”, deklaroi ai.
Sipas Erdogan, Ankaraja nuk po ushtron më të njëjtin presion për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.
“Ne po mendojmë të bashkohemi me Bashkimin Evropian. Nëse na pranojnë, kjo është në rregull, nëse nuk na pranojnë, kjo është gjithashtu në rregull”, u shpreh presidenti turk.
Ai shtoi se prioritetet e Turqisë kanë ndryshuar dhe paralajmëroi Brukselin se, sipas tij, Evropa mund të jetë pala që humbet nga distancimi i mëtejshëm.