Dy shoferë kapen me shpejtësi mbi 160 km/h, përfundojnë në polici

Dy shoferë nga Serbia dhe Holanda janë privuar nga liria pasi janë kapur duke drejtuar me shpejtësi të lartë në autostradën A-1, në zonën e Demir Kapisë.

Sipas policisë, më 26 gusht, në pikën kufitare “Tabanoc”, gjatë kontrollit të një automjeti Mercedes-Benz me targa serbe, u konstatua përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” se shoferja 51-vjeçare nga Serbia kishte drejtuar me 168 km/h, në një pjesë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h.

Një rast tjetër është konstatuar më 27 gusht, po në pikën kufitare “Tabanoc”. Një 32-vjeçar nga Holanda, me automjet Audi me targa holandeze, ishte evidentuar duke drejtuar me 177 km/h pranë Demir Kapisë, po në zonën ku lejohet shpejtësi deri në 80 km/h.

Të dy rastet janë cilësuar si “drejtim i pamatur i automjetit”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal.

Policia i ka privuar nga liria të dy shoferët dhe ndaj tyre do të vijojë procedura përkatëse.