Koalicioni VLEN ka theksuar se të rinjtë po zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në tregun e punës, duke iu referuar të dhënave nga Plani Operacional i Punësimit për vitin 2025.
Sipas tyre, nga rreth 13 mijë persona të planifikuar për përfshirje, mbi 8,500 apo rreth 70.9% janë të rinj nën moshën 29 vjeç, çka konsiderohet si një tregues i qartë i angazhimit të këtij brezi për të ndërtuar të ardhmen e tyre përmes punës.
“Në masën më tërheqëse të punësimit, Vetëpunësimin për të mbështetur sipërmarrjen, përkatësisht hapjen e një biznesi personal, nga një total prej 2,755 biznesesh të reja të planifikuara, 1,896 u hapën nga të rinj nën moshën 29 vjeç. Ky është një sukses i madh që vërteton se energjia, kreativiteti dhe guximi i të rinjve janë nxitësit e zhvillimit ekonomik.
Këto fakte janë më shumë sesa statistika: ato janë shpresë e gjallë, ato janë provë e këmbënguljes së të rinjve tanë, të cilët nuk dorëzohen përballë sfidave, por i transformojnë ato në mundësi. VLEN riafirmon se mbështetja e të rinjve është një përparësi e pandalshme. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre, duke u dhënë atyre diellin e shpresës, forcën e këmbënguljes dhe besimin se e ardhmja ndërtohet me punë të ndershme dhe një vizion të qartë”, thuhet në reagimin e VLEN.
