Policia e Shtetit (DVP Tiranë – Policia e Tiranës) ka arrestuar një 22-vjeçar në Bathore pas një konflikti të ndodhur mes disa personave.
Sipas policisë, i riu me inicialet A. E. dyshohet se për motive të dobëta fillimisht ka përplasur qëllimisht me automjetin e tij makinën e një 33-vjeçari dhe më pas e ka kanosur duke qëlluar me armë zjarri në ajër. Po ashtu, në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj 33-vjeçarit.
22-vjeçari është arrestuar në flagrancë, ndërsa automjeti i tij tip “Range Rover” është sekuestruar si provë materiale. Policia po vijon hetimet dhe kërkimet për gjetjen e armës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
