VLEN: BDI po bllokon Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe po dëmton interesat e shqiptarëve

Lëvizja VLEN ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se po pengon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, duke e cilësuar këtë si një veprim që dëmton interesat e shqiptarëve dhe bie ndesh me parimet e Marrëveshjes së Ohrit.

Në reagimin e saj, VLEN thekson se BDI mban përgjegjësi për qeverisjen e më shumë se dy dekadave, fillimisht me LSDM-në e më pas me VMRO-DPMNE-në, periudhë që, sipas tyre, u karakterizua nga korrupsioni, keqmenaxhimi dhe mungesa e përfaqësimit autentik të shqiptarëve.

“Qytetarët shqiptarë nuk duan të përfaqësohen më nga persona që kanë shpërdoruar dhe përvetësuar fonde të Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e VLEN-it, ku si shembull i dështimit përmendet edhe furnizimi i parregullt me ujë të pijshëm.

VLEN pretendon gjithashtu se një rreth i ngushtë rreth kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, synon një bashkëpunim të ri politik me VMRO-DPMNE-në për t’iu shmangur përgjegjësisë për qeverisjet e kaluara.

Në fund, kjo lëvizje hedh poshtë pretendimet se pozita e shqiptarëve është dobësuar për shkak të mungesës së BDI-së në qeveri, duke i cilësuar ato si pjesë të një strategjie politike që, sipas saj, dëmton kauzën shqiptare.