Ministria e Punëve të Brendshme do të nisë përdorimin e testeve të shpejta për zbulimin e drogës te shoferët. Bëhet fjalë për teste nga pështyma, të cilat do të mundësojnë kontrollimin e drejtuesve të automjeteve direkt në vendin e ndalimit, ndërsa rezultatet do të jenë të gatshme brenda 3 deri në 10 minutave.
Sipas MPB-së, janë porositur 10.000 teste njëpërdorimëshe, të cilat pritet të mbërrijnë gjatë gjysmës së parë të muajit gusht. Një test kushton 218 denarë, ndërsa furnizimi është pjesë e një marrëveshjeje dyvjeçare me vlerë deri në 80 mijë euro.
Me testet e reja do të mund të zbulohet prania e marihuanës (THC), kokainës, amfetaminës, metamfetaminës, opiateve, ekstazës (MDMA) dhe benzodiazepinave.
Nga MPB bëjnë të ditur se testimi do të kryhet gjatë kontrolleve në komunikacion, sipas vlerësimit të zyrtarit policor. Fillimisht do të trajnohen policët për përdorimin e tyre, ndërsa në rast të një rezultati pozitiv do të pasojnë analiza dhe procedura të mëtejshme, në përputhje me ligjin.
