Ulen çmimet e naftës: Nga 1 shtatori dizeli 95 denarë për litër

Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE) ka miratuar vendimin e ri për çmimet e shitjes me pakicë të derivateve të naftës, me të cilin çmimet ulen mesatarisht për 2,06 për qind krahasuar me vendimin e datës 24 gusht.

Sipas vendimit, çmimi i benzinës EUROSUPER BS-95 rritet për 1 denar për litër dhe do të shitet me çmim maksimal prej 94 denarë për litër.

Edhe EUROSUPER BS-98 shtrenjtohet për 1 denar, duke arritur në 96 denarë për litër.

Në anën tjetër, EURODIZEL BS (D-E V) pëson ulje të ndjeshme prej 6,50 denarësh për litër dhe nga 1 shtatori çmimi maksimal do të jetë 95 denarë për litër.

Ndryshim ka edhe te vaji ekstra i lehtë për amvisëri EL-1, i cili ulet për 3,50 denarë dhe do të kushtojë 97 denarë për litër.

Ndërsa çmimi i mazutit M-1 SU ulet për 1,166 denarë dhe do të jetë 44,410 denarë për kilogram.

Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga 1 shtatori 2026, në orën 00:01.

Çmimet maksimale:

  • EUROSUPER BS-95 – 94 den/l
  • EUROSUPER BS-98 – 96 den/l
  • EURODIZEL BS – 95 den/l
  • EL-1 – 97 den/l
  • Mazut M-1 SU – 44,410 den/kg