Një ngjarje e rëndë ka tronditur Romën, ku një 16-vjeçar dyshohet se ka dhunuar rëndë nënën e tij 50-vjeçare, e cila ndërroi jetë disa orë më vonë në spital.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Centocelle, në periferi të kryeqytetit italian, në banesën ku nëna dhe djali jetonin prej rreth tre vitesh.
Pas sulmit, ka qenë vetë 16-vjeçari që ka telefonuar numrin e emergjencës 112, duke njoftuar autoritetet për atë që kishte ndodhur. Kur policia mbërriti në vendngjarje, i mituri u gjet jashtë pallatit, me bluzën e njollosur me gjak.
Në katin e parë të pallatit, efektivët gjetën nënën ende gjallë. Ajo u transportua me urgjencë në gjendje kritike drejt Policlinico Tor Vergata, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë disa orë pas mbërritjes në spital.
Sipas mediave italiane, 16-vjeçari kishte shfaqur më herët problem të shëndetit mendor, dhe aktualisht ndodhet i shtruar në repartin e psikiatrisë në Policlinico Umberto I. Autoritetet po hetojnë për të zbardhur dinamikën dhe motivin e saktë të sulmit.
Fqinjët kanë deklaruar se nuk kishin vënë re probleme të veçanta mes nënës dhe djalit. Madje, sipas dëshmive të raportuara nga mediat italiane, as gjatë momentit të sulmit nuk janë dëgjuar britma apo kërkesa për ndihmë.
Nëna bënte disa punë për të mbajtur djalin e saj, që po e rriste e vetme, për shkak se babai i 16-vjeçarit prej kohësh ishte larguar nga familja.
Hetimet tashmë janë në duart e Prokurorisë për të Miturit. 16-vjeçari pritet të merret sërish në pyetje në ditët në vijim, në prani edhe të psikologëve, ndërsa autoritetet duhet të përcaktojnë rrethanat e sakta të tragjedisë dhe motivin e agresionit./SHEKULLI
