Shqiptari nga Maqedonia e Veriut pjesë e misionit Artemis II drejt Hënës

Nga një fshat i Gostivarit drejt një prej projekteve më të rëndësishme në historinë e eksplorimit hapësinor, rrëfimi i Albon Rexhepi shërben si shembull i qartë se përkushtimi dhe dija mund të tejkalojnë çdo kufi.

Ai sot është pjesë e misionit Artemis II, një projekt i NASA që synon rikthimin e astronautëve në Hënë pas dekadash.

Aktualisht, Rexhepi mban një pozicion drejtues në kompaninë DEWETRON në Shtetet e Bashkuara, ku është i përfshirë në zhvillimin e teknologjive të testimit dhe matjes, elemente thelbësore për sigurinë e misioneve hapësinore.

Rrugëtimi i tij profesional ka nisur pas studimeve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ndërsa përvoja e parë në SHBA e ka çuar në kompani të njohura si Pfizer dhe më pas Legrand, ku ka ndërtuar një karrierë solide përpara se t’i bashkohej DEWETRON-it në vitin 2022.

Ai thekson se puna e ekipit të tij është vendimtare në fazat e zhvillimit dhe testimit të komponentëve të misionit: “Produktet tona përdoren në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të komponentëve për Artemis II. Testimet janë thelbësore që projekti të mos ketë asnjë dështim”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, në projekte të tilla kërkohet saktësi maksimale, pasi çdo detaj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e astronautëve: “Nuk ka hapësirë për gabime”, është shprehur Rexhepi.

Përtej arritjeve profesionale, ai e sheh rrugëtimin e tij si një mesazh motivues për të rinjtë shqiptarë, duke i inkurajuar që të ndjekin dijen dhe punën e palodhur për të arritur suksesin.

Ndërsa misionet e ardhshme të eksplorimit hënor vazhdojnë të zhvillohen, kontributi i profesionistëve si Rexhepi mbetet një pjesë e rëndësishme e këtij kapitulli të ri të njerëzimit në hapësirë dhe një burim krenarie për komunitetin shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *