Ekipet e shpëtimit në Gjermani kanë vijuar edhe të martën në mëngjes kërkimet për tre persona të zhdukur, pas shembjes së një ndërtese në qytetin Görlitz, pranë kufirit me Poloninë.
Sipas policisë, shkaku i mundshëm i incidentit dyshohet të jetë një shpërthim gazi, ndërsa ekipet në terren po punojnë me kujdes të shtuar për shkak të rrezikut nga rrjedhjet e mundshme.
Fillimisht u dyshua se deri në pesë persona mund të kishin mbetur nën rrënoja, por më vonë policia konfirmoi se kjo shifër nuk ishte e saktë. Megjithatë, kërkimet për tre persona vazhdojnë.
Pasi kërkimet me qen nuhatës nuk dhanë rezultat, ekipet e shpëtimit kanë nisur largimin e rrënojave me ekskavatorë dhe mjete dore për të bërë të mundur gjetjen e të zhdukurve.
Një dëshmitar tha se ndërsa ndodhej pranë një supermarketi dëgjoi një shpërthim të fuqishëm dhe kur u kthye në vendngjarje pa vetëm rrënoja.
Ndërtesa e shembur ishte ndërtuar në stilin historik vilhelminian dhe përmbante apartamente banimi dhe akomodime për turistë, ndërsa qyteti Görlitz njihet si një nga zonat më të vjetra dhe të ruajtura të Gjermanisë.
