Sulejmani: BDI pati dy dekada kohë, tani po e bllokon ligjin

Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, ka akuzuar BDI-në se po pengon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.

Sipas Sulejmanit, ligji përbën një nga elementet e rëndësishme të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe është e pakuptimtë, siç tha ai, që BDI të mos e mbështesë një zgjidhje ligjore për këtë çështje.

Ai theksoi se BDI ka pasur mundësi ta rregullojë përfaqësimin e drejtë gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet, por nuk e ka bërë. Tani, sipas tij, partia opozitare shqiptare po e bllokon procesin për vendosjen e një kuadri të ri ligjor.

Sulejmani e krahasoi këtë situatë me çështje të tjera që lidhen me Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa i bëri thirrje BDI-së të reflektojë dhe ta mbështesë ligjin.
Sulejmani shpreson se BDI-ja, siç tha, më në fund do të vetëdijësohet dhe do të reflektojë për qëndrimin e saj ndaj Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Ai bëri një krahasim me miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në vitin 2018, duke theksuar se në atë kohë si opozitë, kishin vlerësuar se ligji nuk ishte zgjidhja ideale dhe nuk e zgjidhte plotësisht çështjen e gjuhës shqipe, por sipas Sulejmanit, edhe pse e kishin kritikuar ligjin, e kishin përkrahur atë me qëllim që të bëhej një hap përpara në zgjidhjen e kësaj çështjeje.