Edhe një viktimë nga Ethet e Nilit Perëndimor, numri i të vdekurve shkon në katër

Një pacient 76-vjeçar ka ndërruar jetë në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive, pasi më herët i ishte konfirmuar laboratorikisht forma neuroinvazive e Etheve të Nilit Perëndimor.

Sipas drejtorit të Klinikës, Fadil Cana, pacienti ishte trajtuar për 27 ditë, por për shkak të formës së rëndë të infeksionit, që kishte prekur trurin dhe cipat e trurit, si dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese, nuk ka arritur të mbijetojë.

Me këtë rast, numri i viktimave nga Ethet e Nilit Perëndimor në vend ka arritur në katër. Ndërkohë, 15 pacientë janë shëruar dhe janë liruar nga klinika.

Aktualisht janë të hospitalizuar 20 pacientë, prej të cilëve 18 raste janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa dy konsiderohen raste të dyshuara. Pesë pacientë ndodhen në kujdes intensiv për shkak të gjendjes më të rëndë.

Cana bëri të ditur gjithashtu se te një paciente 25-vjeçare është konfirmuar forma neuroinvazive e infeksionit, ndërsa një pacient 24-vjeçar, i hospitalizuar së fundmi, konsiderohet rast i dyshuar.

Sipas mjekëve, forma neuroinvazive kërkon trajtim spitalor dhe mosha e avancuar përbën një faktor të rëndësishëm rreziku për komplikime të rënda dhe përfundim fatal.