Intervenim i suksesshëm në Spitalin Klinik të Tetovës, paciente nga Shqipëria trajtohet me sukses

Një paciente shtetase e Republikës së Shqipërisë ka vazhduar trajtimin e saj mjekësor në Spitalin Klinik të Tetovës, pas një periudhe 10-ditore trajtimi në repartin e Urologjisë në Spitalin Universitar të Tiranës.

Sipas njoftimit, pacientja ka kërkuar që trajtimi i mëtejshëm të vazhdojë në Tetovë, duke u bazuar në reputacionin dhe besueshmërinë e institucionit shëndetësor.

Ajo është transportuar me autoambulancë dhe është pritur nga drejtori i spitalit, i cili ka urdhëruar kryerjen e menjëhershme të ekzaminimeve dhe procedurave të nevojshme mjekësore.

Pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore, është vendosur që intervenimi kirurgjikal të realizohet në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa operacioni është kryer me sukses nga ekipi mjekësor i spitalit.