Solidaritet nga diaspora: 6 mijë litra ujë për Gostivarin shpërndahen nga mërgimtarët

Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim ka realizuar një aksion humanitar për të ndihmuar banorët e komunës së Gostivarit, të cilët po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.

Gjatë aksionit janë shpërndarë 6 mijë litra ujë, të paketuar në 600 bidonë, në afërsi të tregut të madh të qytetit. Organizatorët bëjnë të ditur se ndihma është menduar të arrijë edhe te banorët e lagjeve më të largëta.

Nga Unioni kanë theksuar se ky aksion nuk e zgjidh problemin e furnizimit me ujë, por është një mënyrë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në këtë periudhë të vështirë.

“Jemi të vetëdijshëm se me këtë aksion nuk do ta zgjidhim problemin me ujin në Gostivar, por dëshmojmë se jemi krah i Gostivarit dhe i vëllezërve tanë në këto ditë të vështira”, thuhet në njoftimin e Unionit.

Ata kanë falënderuar ekipin organizativ, shoqatat anëtare, vullnetarët dhe donatorët që kontribuan në realizimin e aksionit humanitar.