Kryeministri i Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistët në Njësinë nr. 2 në Tiranë, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ku foli për situatën ekonomike dhe politikat sociale në vend.
Ai theksoi se pensionistët do të jenë prioritet në politikat mbështetëse dhe do të përfitojnë drejtpërdrejt nga rritja ekonomike, e cila tashmë ka reflektuar edhe në rritjen e pensioneve.
Rama njoftoi se përveç rritjes së pensioneve, qeveria po punon për thellimin e reformës në këtë sektor. Sipas tij, synohet krijimi i mundësive të reja për kursim, ku edhe shteti do të kontribuojë për të siguruar pensione më të larta në të ardhmen. Po ashtu, në fokus do të jetë përmirësimi i kuadrit ligjor për pensionistët e vetëpunësuar, ata që vazhdojnë të jenë aktivë në punë, si dhe mbështetja më e mirë për personat me aftësi të kufizuara.
Ai bëri të ditur se rritja e pensioneve do të vazhdojë çdo vit, duke nisur nga janari 2027 e deri në vitin 2030, me rritje progresive nga viti në vit.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se për një kohë të gjatë rritja reale e pensioneve ka qenë e pamundur për shkak të gjendjes ekonomike, ndërsa tani situata ka ndryshuar dhe ka krijuar hapësirë për ndërhyrje konkrete.
Sipas tij, përmirësimi i ekonomisë është baza që ka mundësuar këto politika, duke përmendur rritjen e prodhimit të brendshëm, të ardhurave për frymë, investimeve të huaja dhe numrit të turistëve në vend. Ai shtoi se këto zhvillime kanë krijuar kushtet për të adresuar çështje që më parë nuk kanë qenë të realizueshme.
Në fund, Rama u shpreh se qeveria do të vazhdojë me reformat dhe investimet, me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme si pensionistët.
