Arrestohet 23-vjeçari nga Shkupi, lënda narkotike u gjet në një lodër për foshnja

Një 23-vjeçar nga fshati Bërst, rajoni i Shkupit, është arrestuar pasi gjatë një kontrolli policor iu gjet një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, e fshehur brenda një arushi prej pelushi për foshnja.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksioni është zhvilluar nga zyrtarët e Njësisë për Luftimin e Tregtisë së Paligjshme, në bashkëpunim me Njësinë e Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup. Kontrollet janë kryer në një shtëpi dhe objekte të tjera në pronësi të S.B. (23).

Gjatë bastisjes, policia zbuloi lëndën narkotike të fshehur brenda lodrës së pelushit. I dyshuari u arrestua dhe u dërgua në Stacionin Policor Gazi Babë.

MPB bëri të ditur se ndaj tij po zhvillohet procedurë për veprën penale sipas nenit 215 të Kodit Penal. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të parashtrohet kallëzimi përkatës penal.