VLEN ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së, duke deklaruar se kjo parti duhet të japë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e saj gjatë kohës në pushtet.
Në reagim, VLEN thotë se dënon pa rezervë çdo glorifikim të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, duke theksuar se për gjenocidin në Srebrenicë nuk duhet të ketë relativizim apo justifikim.
“Për një publikim të tillë duhet të ketë përgjegjësi politike dhe institucionale. Për gjenocidin në Srebrenicë nuk ka relativizim, justifikim dhe nuk ka dy të vërteta”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Duke iu përgjigjur BDI-së, VLEN e akuzon këtë parti për hipokrizi politike dhe për rishkrim të së kaluarës së saj.
Një pjesë e reagimit lidhet edhe me projektin “Ballkani i Hapur”, të cilin VLEN thotë se BDI-ja e kishte promovuar gjatë kohës që ishte në pushtet, ndërsa sot e lidh me konceptin e “botës serbe”.
“BDI-ja e kërkon ‘botën serbe’ te të tjerët, por ikën nga biografia e saj politike”, deklaron VLEN.
Sipas VLEN-it, nëse BDI dëshiron të flasë për ndikimin politik, ekonomik dhe mediatik serb, atëherë kjo duhet të bëhet përmes “datave, deklaratave dhe dokumenteve”.
“Do të rikujtojmë se çfarë thoshin dhe çfarë heshtnin derisa ishin në pushtet, si dhe çfarë ndodhte para syve të tyre”, përfundon reagimi i VLEN-it.
