Sipas Elton Tozajt, Flori Mumajesi po vjen me album të ri

Gazetari Elton Tozaj ka deklaruar në emisionin “Ora 7” se këngëtari Flori Mumajesi pritet të rikthehet në skenën muzikore me një album të ri gjatë muajve shtator ose tetor.

Sipas Tozajt, projekti është në përgatitje prej më shumë se një viti dhe do të përfshijë këngë të reja, por edhe ripërpunime të disa hiteve të artistit.

Ai përmendi se në album pritet të rikthehen edhe projekte të njohura si “Hëna”, në bashkëpunim me Ylli Limani, si dhe “Jeta”, me Elvana Gjata.

I pyetur për një bashkëpunim të ri mes Flori Mumajesit dhe Elvana Gjatës, Tozaj u shpreh se kjo është diskutuar prej kohësh dhe se, sipas tij, pritet të realizohet.

Ai e cilësoi rikthimin e mundshëm të Flori Mumajesit si një nga rikthimet më të mëdha në skenën muzikore shqiptare. Deri më tani, artisti nuk ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me këto pretendime.