Pas largimit nga Top Channel, Julka Gramo zbulon projektin e ri televiziv

Julka Gramo ka zyrtarizuar hapin e saj të radhës në karrierën televizive, duke u bërë pjesë e sezonit të ri të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH). Surpriza është konfirmuar përmes promos zyrtare të publikuar nga vetë institucioni publik, ku moderatorja e njohur shfaqet nën drejtimin e një formati krejtësisht të ri.

Programi, që mban titullin “Eja te Ne”, shënon rikthimin e saj në ekran me një projekt autorial. Kjo lëvizje vjen pas mbylljes së eksperiencës së saj në Top Channel, ku për një kohë të gjatë ishte pjesë e programit të përditshëm “Në Shtëpinë Tonë”,krah Alban Musës. Largimi i saj nga ky format kishte ngritur mjaft pikëpyetje dhe aludime në mediat rozë mbi të ardhmen e saj profesionale, enigma të cilat tashmë kanë marrë përgjigje.

“Eja te Ne” pozicionohet si një nga risitë kryesore që RTSH po përgatit për sezonin e ri televiziv. Përveç ofertës me produksione dhe seriale ndërkombëtare, televizioni publik ka vendosur të afrojë emra të njohur të ekranit për të fuqizuar programacionin vendas.