VLEN propozon emra të rinj për ministri, rikonfirmon disa ministra aktualë në Qeveri

Koalicioni VLEN ka njoftuar pas mbledhjes së tij se ka vendosur propozimet për disa pozita ministrore në përbërjen e re qeveritare.

Sipas vendimit të bërë publik, për Ministër të Drejtësisë propozohet profesori universitar Jeton Shasivari, ndërsa për Ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive propozohet Agon Ferati. Për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit është propozuar Sedat Sulejmani.

Në të njëjtin njoftim theksohet se disa prej përfaqësuesve aktualë të koalicionit do të vazhdojnë detyrat e tyre qeveritare, përfshirë Bekim Sali, Besar Durmishi dhe Muhamet Hoxha.

Nga koalicioni VLEN u theksua se përbërja e re synon të sjellë energji të re politike, kuadro profesionale dhe qasje më efikase në qeverisje, me fokus në reforma, zhvillim dhe përfaqësim të interesave të qytetarëve.

Sipas tyre, këto ndryshime janë pjesë e angazhimit për forcimin e rolit institucional dhe avancimin e proceseve reformuese në vend.