Këngëtarja me famë botërore dhe origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka treguar se po nis një etapë të re në jetën dhe karrierën e saj, pas largimit nga kompania e saj diskografike afatgjatë në vitin 2025.
Në një intervistë për revistën People, artistja u shpreh se vendimi për t’u bërë e pavarur i ka rikthyer lirinë krijuese dhe e ka ndihmuar të rilidhet me veten pas viteve të tëra nën presionin e industrisë muzikore.
“Pas vitesh duke u ndier sikur nuk kisha asnjë fuqi, ishte shumë e vështirë të lidhesha me ndjenjat e mia të vërteta. Në një farë mënyre, isha mpirë emocionalisht”, u shpreh ajo.
Sipas Rexhës, marrëveshja e mëparshme diskografike kishte kufizuar kreativitetin e saj dhe e kishte bërë të ndiente se kishte humbur kohë të çmuar në karrierë.
Kjo frymë e re reflektohet edhe në albumin e saj më të fundit, Dirty Blonde, i publikuar më 12 qershor. Projekti përfshin 13 këngë dhe sjell një kombinim të elementeve dance-pop, country dhe baladave emocionale.
“U ndjeva e lirë. Nuk më pëlqen të futem në një kuti”, tha këngëtarja për procesin krijues të albumit.
E njohur si një nga kantautoret më të suksesshme të industrisë, Rexha ka shkruar hite për artistë të njohur si Eminem dhe Rihanna, përfshirë edhe hitin e famshëm The Monster.
Artistja foli gjithashtu për sfidat me imazhin trupor, shëndetin mendor dhe paragjykimet që ka hasur gjatë karrierës së saj. Ajo zbuloi se disa kompani diskografike e kishin refuzuar me arsyetimin se ishte “shumë e vjetër”.
“Mund të isha dorëzuar shumë lehtë, por gjëja për të cilën jam më krenare është se nuk u dorëzova kurrë”, deklaroi Rexha.
Sot, Bebe Rexha e konsideron suksesin e saj si një dëshmi të këmbënguljes, forcës dhe vendosmërisë për të ndjekur rrugën e saj pa lejuar që të tjerët t’i vendosin kufij.
