Një vjedhje me dëme të vlerësuara në rreth 5 milionë euro është regjistruar në nënstacionin elektrik hekurudhor në Draçevë, mes stacioneve hekurudhore Lisiçe dhe Draçevë, njoftoi Ministria e Transportit.
Sipas ministrisë, autorët kanë shkaktuar shkatërrim të madh në infrastrukturën elektroenergjetike të hekurudhës. Gjatë vjedhjes janë përmbysur me forcë dy transformatorë elektrikë me peshë mbi 30 tonë secili, nga të cilët është derdhur vaji, ndërsa janë hequr dhe vjedhur mbështjellësit prej bakri dhe komponentë të tjerë me vlerë.
Po ashtu, nga nënstacioni janë vjedhur tela bakri, shina, shufra bakri dhe pajisje të tjera të domosdoshme për funksionimin e tij.
Ministria e Transportit theksoi se dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe kanë prekur rëndë infrastrukturën hekurudhore. Rasti është raportuar te organet kompetente, të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
