Bajram Rexhepi ka reaguar lidhur me raportet financiare të NPK “Tetova”, duke pretenduar se dy raporte zyrtare për vitin 2024 përmbajnë mospërputhje në shifrat financiare.
Sipas tij, në një raport figuron shuma prej 56.065.862 denarësh, ndërsa në raportin pasues, për të njëjtin vit dhe të njëjtën kategori, figurojnë 38.350.468 denarë, duke theksuar se diferenca arrin në 17.715.394 denarë.
Rexhepi kërkon sqarime publike për këtë dallim, si dhe ngre pyetje për rritjen e humbjes së ndërmarrjes, rënien e të hyrave, shtimin e shpenzimeve dhe rritjen e shpenzimeve për kamata.
“Këto nuk janë pretendime, por pyetje që burojnë nga dokumentet zyrtare financiare të vetë NPK-së, të cilat janë dorëzuar në Këshillin Komunal të Tetovës”, thuhet në reagimin e tij.
Në fund, Rexhepi kërkon transparencë të plotë mbi menaxhimin e financave publike, duke pyetur: “Ku shkojnë dhe si harxhohen paratë e qytetarëve?”
