Deri në 5,000 luftëtarë nga Kuba po marrin pjesë në operacionet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, sipas një raporti të administratës së Donald Trump dërguar Kongresit amerikan.
Sipas Departamenti Amerikan i Shtetit, regjimi në Havana ofron mbështetje diplomatike dhe politike për Moskën, ndërsa raporti i paklasifikuar thekson se Kuba ka kontribuar në forcimin e trupave ruse me mijëra qytetarë të saj në front.
Dokumenti vlerëson se numri i luftëtarëve kubanë varion nga 1,000 deri në 5,000. Edhe pse nuk ka prova publike se qeveria kubaneze i ka dërguar zyrtarisht të gjithë, ekzistojnë “prova të rëndësishme” se autoritetet kanë qenë në dijeni dhe kanë lehtësuar lëvizjen e tyre.
“Regjimi kubanez ka dështuar të mbrojë qytetarët e tij nga përdorimi si gurë shahu në luftën Rusi-Ukrainë”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për mediat amerikane.
Publikimi i raportit vjen në një kohë kur Shtëpia e Bardhë po rrit presionin ndaj qeverisë kubaneze, përfshirë masa mbi furnizimin me naftë dhe përpjekje për ndryshime politike në vend.
Senatori Ted Cruz u shpreh se “regjimi kubanez po minon interesat amerikane në të gjithë botën”, duke sugjeruar se një ndryshim i udhëheqjes në Havana do të ishte pozitiv për SHBA-në dhe aleatët e saj.
Ndërkohë, presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel ka reaguar ndaj presionit ndërkombëtar, duke deklaruar: “Ne do të mbrohemi dhe, nëse na duhet të vdesim, do të vdesim”.
Prania e qytetarëve kubanë në luftë ishte raportuar që në vitin 2023, kur u zbulua se Rusia po rekrutonte luftëtarë të huaj për të forcuar frontin në Ukrainë.
