Një hetim i gjerë është hapur në Ministrinë e Punëve të Brendshme pas dyshimeve se të paktën dy të punësuar janë përfshirë në përgatitjen e një patentë-shoferi të falsifikuar në këmbim të ryshfetit.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Slloboden Peçat”, punonjësit dyshohet se janë kapur në flagrancë gjatë procesit të përgatitjes së dokumentit për një person. Rasti po hetohet nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së, ndërsa dyshimet janë se mund të jenë lëshuar edhe patenta të tjera në mënyrë të ngjashme.
Në rastin konkret, personit dyshohet se i ishte kërkuar që patentën ekzistuese ta paraqiste si të humbur. Më pas, gjatë procedurës për pajisjen me dokument të ri, ishte planifikuar t’i shtoheshin kategori më të larta, duke i mundësuar drejtimin e kamionëve të rëndë dhe autobusëve, edhe pse nuk i kishte këto kategori.
Nëse dyshimet konfirmohen, rasti mund të ketë pasoja serioze për sigurinë në komunikacion, pasi drejtuesit e autobusëve transportojnë një numër të madh pasagjerësh, përfshirë edhe fëmijë.
MPB ka konfirmuar se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale e ka njoftuar Prokurorinë Themelore Publike dhe se hetimi po zhvillohet në koordinim me prokurorinë.
Burime të “Slloboden Peçat” pretendojnë gjithashtu se disa prej personave nën hetim kanë qenë të dyshuar edhe më herët në aferën e pasaportave të falsifikuara.
