I ftuar këtë të martë në emisionin Now me Erla Mëhillin, profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço ka folur për zjarrin e fundit në Tiranë, duke zbuluar se telefonata e parë ka ardhur nga Bashkia e Kamzës.
Ai u shpreh: “Eja se po na digjen fëmijët brenda”.
Karamuço kritikoi ashpër mungesën e infrastrukturës dhe pajisjeve për zjarrfikësit, duke theksuar se kapacitetet aktuale janë të pamjaftueshme për ndërtesat e larta.
“Këto situata janë për turp. Kanë qeshur ekspertët kur kanë parë në qiejt e Tiranës helikopter me një kovë uji që do shuante paretën e një pallati.
Zjarrfikëset kanë shkallë deri në 5 kate, dhe çdo gjë tjetër mbi pesë kate digjet, bëhet shkrumb. Dhe telefonata e parë ka qenë me bashkinë e Kamzës që jep pallate deri në 9 kate dhe ka shkallë deri në 9 kate, dhe i thanë hajde se po më digjen fëmijët brenda. Bashkia Kamëz ka dërguar edhe shkallët 9-katëshe dhe ujin nga Liqeni i Paskuqanit.
Ja kështu menaxhohet situata në Tiranë. Bashkia e Tiranës të shkojë të blejë dronë që janë 35 mijë euro, 40 mijë euro dronët kinezë që i ka gjithë Evropa, që ngjiten deri në 60 kate dhe çojnë tubacionin me ujë që shuajnë flakët, se ndryshe do të digjej populli brenda.
Kjo nuk bëhet me ndihmë njerëzore, ka solidaritet, po kjo nuk është e gjitha, duhet teknikë aty.
Kemi një pallat tjetër tek Shushica që ka bombola, janë 50 banorë që thonë hiqini se do na shpërthejnë. Ato paretet që marrin flakë ashtu duhet të duronin flakën në 1000 gradë”, u shpreh ai.
