Selvija Kasapi prek me dedikimin për Shpat Kasapin, paralajmëron publikimin e këngës “NANA”

Edhe pse kanë kaluar muaj nga ndarja e tij nga jeta, kujtimi dhe muzika e Shpat Kasapit vazhdojnë të jetojnë te familja, miqtë dhe publiku që e deshi ndër vite.

Së fundmi, bashkëshortja e tij, Selvija Kasapi, ka emocionuar ndjekësit me një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku zbuloi se artisti kishte lënë pas disa projekte muzikore të papublikuara, të cilat do të publikohen për të ruajtur gjallë trashëgiminë e tij artistike.

Ajo bëri të ditur se shumë shpejt do të publikohet kënga “NANA”, një projekt që trajton mallin e emigrantit për nënën dhe vendlindjen. Sipas Selvisë, kjo këngë sot ka marrë një kuptim edhe më të veçantë dhe më emocional pas humbjes së Shpatit.

“Ah Shpat… Të gjitha nënat shqiptare qajnë me këtë këngë, ndërsa ti i le botës një mesazh për mallin, dashurinë dhe dëshirën për t’u kthyer pranë nënës”, shkroi ajo në dedikimin e saj.

Selvija u shpreh se vargjet e kësaj kënge prekin zemrën, pasi sot ato përfaqësojnë jo vetëm mallin e një djali për nënën, por edhe dhimbjen e një familjeje që vazhdon ta kujtojë me dashuri artistin.

Ajo theksoi se e ndjen si obligim moral dhe shpirtëror që të gjitha këngët e papublikuara të Shpat Kasapit të arrijnë te publiku, në mënyrë që zëri dhe arti i tij të vazhdojnë të jetojnë përgjithmonë.

Kënga “NANA” pritet të publikohet së shpejti në YouTube, duke sjellë një tjetër kujtim të çmuar nga krijimtaria që artisti la pas.

Screenshot