MPB paralajmëron rregulla më të ashpra për trotinetët elektrikë

Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit ndryshime në legjislacion me qëllim vendosjen e rregullave më të qarta dhe më të rrepta për përdorimin e trotinetëve elektrikë, si pjesë e përpjekjeve për të rritur sigurinë në komunikacion.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së do të propozojë ndryshime në Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit në Rrugë, të hartuara në bashkëpunim me ekspertë dhe shërbimet profesionale të MPB-së.

Sipas Toshkovskit, ndryshimet do të fokusohen veçanërisht te përdorimi i trotinetëve nga të rinjtë, pasi statistikat tregojnë se pjesa më e madhe e aksidenteve përfshin persona të moshës 17 dhe 18 vjeç ose më të rinj.

“Do të ashpërsojmë politikën ndëshkuese dhe rregullat që kanë të bëjnë me drejtimin e trotinetëve elektrikë, sidomos për grupmoshat e reja”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se praktika të tilla si ngasja nga disa persona në të njëjtin trotinet, përdorimi pa helmetë mbrojtëse dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut po shkaktojnë rreziqe serioze për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.

Një nga ndryshimet që po shqyrtohen është edhe rritja e kufirit minimal të moshës për përdorimin e trotinetëve elektrikë, me qëllim mbrojtjen më të mirë të të rinjve dhe uljen e numrit të aksidenteve.

Ndryshimet ligjore pritet të procedohen në periudhën e ardhshme dhe të sjellin rregulla më të qarta për përdoruesit e këtij mjeti gjithnjë e më të përhapur të transportit.