Punoi 40 vjet në Gjermani, zbulon pensionin që do të marrë: “A ia vlejti gjithë kjo?”

Një diskutim në një grup të emigrantëve nga Ballkani në Gjermani ka hapur debat të madh për pensionet dhe nëse emigracioni ia ka vlejtur pas dekadash pune.

Një anëtar i grupit ngriti pyetjen: “Punon 40 vjet në Gjermani, del në pension në moshën 67-vjeçare dhe merr rreth 1.100 euro. A ia vlen të punosh në një shtet të huaj?”

Komentet ishin të ndryshme. Disa argumentuan se pensioni nuk duhet të jetë kriteri i vetëm, pasi gjatë viteve të punës në Gjermani emigrantët kanë mundësi të kursejnë, të blejnë shtëpi, apartamente ose tokë dhe të krijojnë një bazë financiare.

Të tjerë theksuan se 1.100 euro në Gjermani nuk kanë të njëjtën vlerë si 1.100 euro në Ballkan, veçanërisht për një pensionist që duhet të paguajë qira dhe shpenzime të larta jetese.

Një pjesë e komentuesve sugjeruan që emigrantët të investojnë gjatë viteve të punës në prona që mund të sjellin të ardhura nga qiraja, në vend që të shpenzojnë shuma të mëdha për shtëpi të mëdha që përdoren vetëm disa javë në vit.

Nëse një person kthehet në vendlindje pas pensionimit dhe ka shtëpi apo apartament të tijin, 1.100 euro mund të kenë fuqi blerëse dukshëm më të madhe sesa në Gjermani.

Debati në fund u shndërrua në një pyetje më të gjerë: a matet suksesi i emigracionit me pensionin që merr në fund të karrierës, apo me gjithçka që ke arritur të krijosh gjatë 40 viteve të punës?