Arifi: Gjendja e varrezave në Tetovë është e turpshme

Në seancën e 14-të të Këshillit të Komunës së Tetovës, si pikë e dhjetë e rendit të ditës u shqyrtua kërkesa e Myftinisë së Tetovës drejtuar komunës për kthimin e tatimit të paguar gjatë blerjes së kompleksit Harabati.

Sipas njoftimit të Lëvizjes BESA, meqë Komuna nuk ka bazë ligjore për ta kthyer këtë tatim, Sektori për Financa propozoi që Këshilli të miratojë një ndihmë financiare për Myftininë në vlerë prej 18.600 euro, sa është edhe shuma e paguar.

Gjatë debatit, këshilltari i Lëvizjes BESA, Agron Arifi, i bëri thirrje publike Myftinisë së Tetovës që të përkujdeset për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të varrezave të qytetit, duke theksuar se kjo është në kompetencën e saj.

Ai deklaroi se, nëse Myftinia nuk është në gjendje ta menaxhojë këtë përgjegjësi, mund të bëjë donacion për Ndërmarrjen Publike Komunale (NPK) Tetovë, e cila, sipas tij, përballet me mungesë pagash, në mënyrë që punonjësit e saj të kujdesen për varrezat.

Arifi shtoi se gjendja aktuale e varrezave është e papranueshme dhe se nuk duhet të vazhdojë në këtë mënyrë.