Policia bastis shtëpinë e 47-vjeçarit, zbulon dhjetëra bimë

Policia në Prilep ka arrestuar një 47-vjeçar, pasi gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij janë gjetur bimë dhe materiale që dyshohet se lidhen me kultivimin dhe përpunimin e kanabisit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kontrolli është kryer më 18 gusht rreth orës 01:00, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prilep.

Gjatë kontrollit janë gjetur 85 bimë, dy peshore digjitale, dy qese me fara, si dhe disa paketime me lëndë të dyshuar si kanabis.

I dyshuari është ndaluar në stacionin policor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, MPB-ja bën të ditur se ndaj tij do të paraqitet kallëzim përkatës penal.